TETOVE – Myftinia e Tetovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e varrezave të qytetit, duke përfshirë si varrezat e vjetra ashtu edhe ato të rejat. Aksioni po përqendrohet kryesisht në largimin e mbeturinave dhe kositjen e barit, me qëllim që këto hapësira të jenë plotësisht të rregulluara për besimtarët.
Sipas informacioneve që ka siguruar KohaNews, ekipet e terrenit janë duke punuar me intensitet të shtuar për të siguruar që varrezat e qytetit të jenë plotësisht të pastruara dhe të kositura përpara festës së Kurban Bajramit, që festohet këtë muaj. Ky angazhim vjen për t’u mundësuar qytetarëve që vizitat e tyre tradicionale gjatë festës t’i kryejnë në një ambient dinjitoz.
Megjithatë, procesi i mirëmbajtjes ka qenë mjaft sfidues. Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë ndikuar në rritjen e shpejtë të barit, gjë që ka bërë që ekipet të intervenojnë disa herë në të njëjtat zona. Përkundër pengesave atmosferike, synimi mbetet i qartë: çdo cep i varrezave të jetë në gjendje të rregullt deri në ditët e festës.
Myftinia u bën thirrje qytetarëve që gjatë vizitave të tyre të jenë bashkëpunues dhe të kujdesshëm me hedhjen e mbeturinave, duke kontribuar kështu në ruajtjen e pastërtisë në këto vende të shenjta.


