Zgjedhja e teknikut italian Rolando Maran në krye të stacionit teknik të Kombëtares Shqiptare ka sjellë reagime të shumta, ku i fundit vjen nga komentatori i njohur sportiv Dritan Shakohoxha. Ai e ka cilësuar këtë lëvizje si një surprizë dhe një sfidë të madhe për vetë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke marrë parasysh karrierën e tij të fokusuar vetëm në nivel klubesh.
Gjatë analizës së tij, Shakohoxha u tregua kritik ndaj historikut të trajnerëve të huaj që kanë udhëhequr Shqipërinë përgjatë viteve:
“Po t’i shikosh trajnerët që kanë drejtuar Shqipërinë, pjesa më e madhe e tyre ka qenë histori dështimi. Arie Haan, Otto Bariç, Kuzhe, Dossena… I morëm nga anonimati dhe pasi ikën nga Shqipëria, nuk kanë punuar në ndonjë vend tjetër”, u shpreh ai, duke shtuar se tashmë kishte ardhur koha që pankina kuqezi t’i besohej një trajneri shqiptar.
Lidhur me largimin e ish-teknikut Sylvinho pas një periudhe tre vjeç e gjysmë, Shakohoxha sqaroi se kontrata e tij kishte përfunduar që vitin e kaluar, pasi FSHF nuk e kishte parashikuar arritjen e fazës playoff.
Eksperienca e re e Rolando Maran në krye të Shqipërisë do të startojë zyrtarisht muajin e ardhshëm, ku ai do të debutojë në dy ndeshjet miqësore: atë kundër Izraelit më 3 qershor dhe tri ditë më pas, më 6 qershor, ndaj Luksemburgut.


