Lashkoska: Investimet në sektorin komunal janë investime në qëndrueshmërinë e komuniteteve dhe në të ardhmen evropiane të shtetit

Shkup, 5 qershor 2026 – Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, së bashku me Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në vend, Sh.T. Christoph Sommer, sot iu drejtuan të pranishmëve në ceremoninë zyrtare të fillimit të projektit „Ndërmarrje komunale të qëndrueshme dhe efikase në RMV”.

 

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale – përfituese të projektit, institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare, donatorë dhe banka zhvillimore, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të projekteve të ngjashme si dhe media.

Projekti, i cili realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Konfederatës Zvicerane përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), ka për qëllim forcimin e qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të ndërmarrjeve publike komunale përmes përmirësimit të funksionimit të tyre operacional dhe financiar, avancimit të efikasitetit energjetik dhe zbatimit të zgjidhjeve moderne për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Për realizimin e projektit janë siguruar 6,5 milionë franga zvicerane grant nga SECO, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor merr pjesë me një kontribut kombëtar prej 0,5 milionë frangash zvicerane. Projekti do të zbatohet gjatë një periudhe pesëvjeçare dhe do të përfshijë shtatë komuna dhe ndërmarrjet e tyre publike komunale – Berovë, Manastir, Koçan, Kumanovë, Radovish, Strumicë dhe Vinicë.

Në kuadër të projektit janë paraparë aktivitete për modernizimin e infrastrukturës, zbatimin e standardeve ndërkombëtare për bilancin e ujit, përmirësimin e efikasitetit energjetik, integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, vendosjen e sistemeve për monitorimin e parametrave kyç të funksionimit, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe menaxhuese të ndërmarrjeve publike komunale.

Në fjalimin e saj, Lashkoska theksoi se ndërmarrjet komunale të qëndrueshme dhe efikase përbëjnë një nga parakushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm lokal, ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe përballimin më të suksesshëm të pasojave të ndryshimeve klimatike.

„Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se investimet në sektorin komunal janë investime në qëndrueshmërinë e komuniteteve tona. Ndërmarrjet publike moderne dhe efikase nuk nënkuptojnë vetëm infrastrukturë më të mirë, por edhe furnizim më të sigurt me ujë, menaxhim më të qëndrueshëm të burimeve, efikasitet më të lartë energjetik dhe cilësi më të mirë të jetës për qytetarët. Prandaj, forcimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve komunale lokale paraqet një investim në të ardhmen e komunave tona dhe në mirëqenien e qytetarëve”, theksoi Lashkoska.

Ajo nënvizoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e përkushtuar në krijimin e shërbimeve publike moderne, financiarisht të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, në përputhje me politikat evropiane për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe me objektivat e tranzicionit të gjelbër.

Duke iu referuar bashkëpunimit shumëvjeçar me Konfederatën Zvicerane, Lashkoska vlerësoi se bëhet fjalë për një partneritet që prej vitesh po sjell rezultate konkrete dhe të matshme në sektorin e ujërave, zhvillimin lokal dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

„Zvicra është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm dhe më afatgjatë në reformat e sektorit të ujërave. Ky projekt është edhe një dëshmi se zgjidhjet më të suksesshme krijohen atëherë kur investimet, ekspertiza dhe përkushtimi institucional bashkohen rreth një vizioni të përbashkët – shërbime më të mira për qytetarët dhe zhvillim më të qëndrueshëm të komuniteteve lokale”, porositi Lashkoska.

Rezultatet e pritshme të projektit do të kontribuojnë në uljen e humbjeve në sisteme, përdorimin më efikas të energjisë, përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjeve komunale dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për popullatën. Njëkohësisht, shërbimet e përmirësuara komunale do të rrisin atraktivitetin e komunave për investime të reja, do të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik lokal dhe do të kontribuojnë në përmbushjen e objektivave kombëtare dhe evropiane në fushën e mjedisit jetësor dhe rezistencës klimatike.

Kjo ngjarje paraqet edhe një hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta të shtetit tonë dhe Zvicrës për ndërtimin e komuniteteve lokale më të qëndrueshme, të shërbimeve publike moderne dhe të një sektori komunal të qëndrueshëm, të aftë për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të së ardhmes dhe për të siguruar një cilësi më të mirë jete për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT