Lodhja kronike nuk vjen gjithmonë nga stresi: Mjeku paralajmëron për probleme të fshehura shëndetësore

Ndjenja e vazhdueshme e lodhjes është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit kërkojnë ndihmë mjekësore. Edhe pse stresi dhe jeta dinamike luajnë rol, shkaqet mund të fshihen te sëmundjet kronike apo mungesa e lëndëve ushqyese.

 

Ndjenja e vazhdueshme e rraskapitjes dhe mungesa e energjisë është një nga arsyet më të shpeshta që i shtyn qytetarët të vizitojnë mjekun. Megjithëse shumica e njerëzve këtë gjendje ia faturojnë stilit të shpejtë të jetesës, shkaqet reale mund të jenë shumë më të gjera – duke filluar nga cilësia e dobët e gjumit dhe stresi, e deri te sëmundjet serioze apo mungesa e vitaminave elementare.

Mjeku i njohur britanik, Amir Khan, shpjegon se zakonet tona të përditshme kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm në nivelet e energjisë.

„Ushqimi i parregullt, konsumimi i tepërt i alkoolit, stresi i vazhdueshëm dhe sindroma e ‘burnout’ (djegies nga puna) janë shkaktarët kryesorë të lodhjes fizike e mendore“, thotë dr. Khan.

Ai shton se kjo lloj lodhjeje është tejet e pranishme tek prindërit e rinj, si dhe te personat që kujdesen për anëtarët e tjerë të familjes, sidomos kur obligimet dhe presioni zgjasin për një periudhë të gjatë kohore pa ndërprerje.

Një tjetër faktor kritik mbetet cilësia e gjumit. Çdo gjë që prish ritmin natyral të fjetjes, përfshirë punën me ndërrime apo ankthin e grumbulluar gjatë ditës, kontribuon direkt në ndjenjën e këputjes që në mëngjes.

Kur medikamentet dhe sëmundjet fshihen pas lodhjes

Sipas ekspertit, një sërë terapish mjekësore që përdoren për sëmundje të ndryshme mund të kenë si efekt anësor lodhjen e tepërt. Ndër to veçohen sedativët, antipsikotikët, opioidët, disa lloje të barnave kundër epilepsisë, antihistaminikët (kundër alergjive) si dhe beta-bllokuesit. Megjithatë, dr. Khan paralajmëron se terapia kurrë nuk duhet të ndryshohet apo ndërpritet pa konsultimin paraprak me mjekun.

Në nivel klinik, lodhja kronike shpesh shërben si simptomë e fshehur për një gamë të gjerë sëmundjesh si:

  • Infeksionet e ndryshme dhe problemet me gjëndrën tiroide.

  • Sëmundjet e zemrës dhe ato kronike të mushkërive.

  • Diabeti dhe skleroza multiple.

  • Artriti reumatoid, fibromialgjia dhe sëmundjet malinje.

Gjithashtu, arsyet më të shpeshta nutritive (ushqimore) të lodhjes lidhen me mungesën e hekurit në gjak (anemia), nivelet e ulëta të vitaminës D, vitaminës B12 si dhe mungesën e acidit folik.

Mjeku apelon se çdo lodhje e pashpjegueshme, veçanërisht nëse shoqërohet me rënie të paqëllimtë në peshë, duhet të trajtohet me seriozitet dhe të pasohet me një kontroll të detajuar mjekësor.

Për të rikthyer energjinë dhe vitalitetin, rekomandohet rreptësisht një gjumë cilësor prej 7 deri në 8 orë, ushqim i balancuar, reduktim i alkoolit, aktivitet i rregullt fizik dhe menaxhim efektiv i stresit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT