Klubi i veteranëve të UÇK-së: Reagimet e BDI-së janë hipokrizi

Klubi i Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, e cila vendosi rikthimin e emërtimeve të mëparshme të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.

 

Në reagimin e tyre, veteranët shprehen se fillimisht nuk kishin ndërmend të komentonin zhvillimet që lidhen me Gjykatën Kushtetuese, por reagimet e fundit të disa politikanëve shqiptarë i kanë shtyrë të dalin publikisht me qëndrimin e tyre.

Ata kritikojnë figura politike si Arbeni, Bujari dhe Ahmeti, duke theksuar se pikërisht këta aktorë politikë kanë qenë ndër ata që kanë propozuar, mbështetur dhe zgjedhur gjyqtarët kushtetues në Kuvend.

“Do ta kishin përkrahjen tonë të plotë nëse do të protestonin para Parlamentit dhe do të kërkonin shkarkimin e gjyqtarëve që, sipas tyre, marrin vendime të dëmshme”, thuhet në reagim.

Veteranët shprehin dyshime se pas procedimit të lëndëve që prekin të drejtat dhe të arriturat e shqiptarëve qëndrojnë pikërisht qarqe politike që më pas përpiqen të përfitojnë politikisht nga vendimet e tilla.

Ata u bëjnë thirrje politikanëve që, nëse e konsiderojnë veten patriotë, të ndërmarrin veprime konkrete përmes protestave dhe marrjes së përgjegjësisë politike, duke hequr dorë edhe nga funksionet partiake dhe shtetërore që ushtrojnë.

“Turpi lahet me vepra, jo me fjalë”, përfundon reagimi i Klubit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT