Real Madrid ka bërë katër përforcime të mëdha, por nuk ndalet: Ja çfarë po përgatisin Mourinho dhe Perez këtë verë

Real Madridi ka ndryshuar rrënjësisht skuadrën për sezonin e ri, por Florentino Pérez dhe José Mourinho duket se nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq. Pas afrimeve në “Santiago Bernabéu” të Marc Cucurella, Denzel Dumfries, Ibrahima Konaté dhe Bernardo Silva, klubi mbretëror po punon për një transferim që mund të lërë në hije të gjitha të tjerat, përcjell KohaNEWS.

 

Sipas gazetës AS, Reali ka nisur negociatat me RB Leipzig për 19-vjeçarin Yan Diomande, një nga talentët më të mëdhenj të futbollit botëror. Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë vjen pas një sezoni fantastik në Bundesliga dhe paraqitjeve mbresëlënëse në Kampionatin Botëror.

Negociatat për Diomande dhe planet e tjera Reali ka siguruar tashmë pëlqimin e lojtarit, i cili dëshiron të vazhdojë karrierën në Madrid. Megjithatë, oferta e parë prej 100 milionë eurosh u refuzua nga klubi gjerman, i cili kërkon rreth 130 milionë euro, ndërsa marrëveshja pritet të mbyllet për afërsisht 120 milionë euro.

Përveç Diomande, në fokus të Realit janë edhe dy emra të tjerë të mëdhenj:

  • Rodri: Mesfushori spanjoll është i hapur për t’u kthyer në atdhe dhe e dëshiron “Santiago Bernabéu”, megjithëse Real Madridi ende nuk ka nisur negociata zyrtare me Manchester City-n, me të cilin lojtari po hyn në vitin e fundit të kontratës.

  • Alessandro Bastoni: Mbrojtësi i Interit mbetet një dëshirë e madhe e Mourinhos për prapavijë, por një transferim i mundshëm varet edhe nga largimi i ndonjë prej qendërmbrojtësve aktualë të klubit.

Me këto lëvizje, Real Madridi konfirmon ambiciet e larta për të ndërtuar një gjeneratë të re fituesish, duke dëshmuar se nuk do të ndalet vetëm te katër përforcimet e deritanishme.

/KohaNEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT