Kryetari i PDK-së në Regensburg, Shqiptar Gubetini, ka bërë thirrje për një konsolidim të brendshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, duke propozuar përfshirjen e Fatmir Limajt në listën zgjedhore të PDK-së. Ai e cilëson një hap të tillë “forcim historik” për partinë dhe për skenën politike të vendit.
Sipas Gubetinit, situata aktuale politike dhe proceset gjyqësore në Hagë që përfshijnë ish-udhëheqës të UÇK-së kërkojnë vendimmarrje të matur dhe bashkim kombëtar. Ai përmendi mesazhet e gjeneralit amerikan Wesley Clark si çështje thelbësore që duhet t’i udhëheqin subjektet politike në adresimin e temës së drejtësisë për luftën.
Gubetini theksoi se PDK-ja ka nevojë të ringjallë kohezionin e brendshëm dhe të afrojë figura të rëndësishme të periudhës së luftës. Sipas tij, Fatmir Limaj mbetet një prej personaliteteve më me ndikim në çështjet e drejtësisë, të vërtetës dhe historisë së UÇK-së.
Ai shtoi se bashkimi i Limajt me PDK-në do t’i jepte partisë një shtysë të re politike dhe simbolike në periudhën aktuale.
Në përmbyllje, Gubetini apeloi që PDK-ja të ndërtojë unitet dhe të mobilizojë potencialin e saj historik në shërbim të stabilitetit politik dhe interesit të Kosovës.


