Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar sot lidhur me lajmet e qarkulluara në media, duke mohuar kategorikisht se Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo anëtarët e tij janë objekt i ndonjë hetimi, survejimi apo përgjimi.
Në deklaratën zyrtare, SPAK thekson se nuk ka ndërmarrë dhe as nuk ndërmerr veprime hetimore që mund të ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke sqaruar se nuk ka asnjë përpjekje për të ndikuar në procese zgjedhore apo procedura të tjera institucionale.
Institucioni e cilëson informacionin e publikuar si “spekulim të pastër”, të pashoqëruar me fakte dhe në kundërshtim me praktikën e tyre hetimore.
“Spekulimet e pabazuara synojnë vetëm dezinformimin e publikut dhe krijimin e një perceptimi të rremë që dëmton punën e Strukturës së Posaçme”, thuhet në njoftim.


