Zeqirija Ibrahimi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Alternativës, Bekim Sali zgjidhet ushtrues detyre deri në kongres

Kryetari i deritanishëm i partisë AlternAtivA, Zeqirija Ibrahimi, ka njoftuar dorëheqjen e tij të pakthyeshme nga posti i kreut të partisë në mbledhjen e mbrëmshme të Kuvendit Qendror. Në vend të tij, me mbështetje të plotë, është zgjedhur deputeti dhe zëvendëskryeministri i ardhshëm, Bekim Sali, i cili do ta udhëheqë partinë deri në kongresin e radhës.

 

Ibrahimi theksoi se dorëheqja nuk vjen si pasojë e pakënaqësive të brendshme, por si reflektim ndaj zhvillimeve të fundit brenda VLEN-it dhe nevojës për një energji të re politike. Ai tha se tashmë ka ofruar një model të unifikimit të këtij koalicioni dhe është optimist për pranimin e tij nga liderët.

Duke rikthyer vëmendjen në 11 vitet e angazhimit të tij politik, Ibrahimi u shpreh se një prej misioneve kryesore – largimi i një klase të vjetër politike – është përmbushur, duke hapur rrugë për një fazë të re të organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai deklaroi se dëshiron të krijojë hapësirë për figura të reja dhe një vizion të ri politik, ndërsa mbetet në shërbim të Alternativës dhe VLEN-it në prapaskenë.

Në fund, Ibrahimi falënderoi bashkëpunëtorët, kolegët dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme, kërkoi falje publike për çdo lëndim të pavullnetshëm dhe theksoi se do të vazhdojë angazhimet e tij në fushën akademike dhe kulturore.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT