Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Kosovë u hap ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, një thirrje për drejtësi dhe dokumentim të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Ekspozita përfshinte imazhe të trenave me qytetarë që largoheshin nga Kosova, arkivole të të vrarëve dhe pamje të fëmijëve e grave që përjetuan luftën. Ngjarjen ndoqën nga afër presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, diplomatë ndërkombëtarë dhe familjarë të personave të zhdukur.
Presidentja Osmani theksoi se regjimi i Sllobodan Millosheviq shkaktoi dhimbje të pashuar dhe se është urgjente të dokumentohen krimet e luftës dhe të kërkohet drejtësi. Ajo deklaroi se Kosova nuk do të lejojë që krimet të harrohen dhe gjenocidi të mohohet.
“Ekspozita nuk është thjesht një shfaqje fotografish, por dëshmi se e vërteta nuk do të shtrembërohet. Do të përkujtojmë viktimat e luftës dhe të mbijetuarit që jetojnë me plagë fizike dhe shpirtërore. Për secilin fëmijë të vrarë, për secilën viktimë të dhunës seksuale dhe të çdo familjeje të prekur, do të kërkojmë drejtësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet kudo në botë,” tha Osmani.


