Një incident i rëndë dhune është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në komunën zvicerane Romanshorn, në Kantonin Thurgau, ku si pasojë e një përleshjeje fizike mes dy grupeve janë lënduar shtatë persona, tre prej të cilëve shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Kantonale të Thurgaut, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në një lokal gastronomik në rrugën “Bahnhofstrasse”. Fillimisht mes dy grupeve ka pasur një mosmarrëveshje verbale, e cila shumë shpejt është shndërruar në konflikt fizik, duke shkaktuar kaos dhe duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të disa patrullave policore.
Nga incidenti, tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, dy të moshës 41 vjeç dhe një 43-vjeçar, kanë pësuar lëndime të lehta deri në mesatare dhe janë dërguar me autoambulancë në spital për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, ndihmë mjekësore në vendngjarje iu është dhënë edhe katër personave të tjerë me lëndime më të lehta: një shtetas i Kosovës, 54 vjeç; një shtetase e Shqipërisë, 35 vjeçe; si dhe dy shtetas zviceranë të moshës 40 dhe 27 vjeç.
Në përleshje kanë qenë të përfshirë edhe dy persona të tjerë – një zviceran 52-vjeçar dhe një shtetas 48-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut – të cilët nuk kanë pësuar lëndime.
Policia Kantonale e Thurgaut ka bërë të ditur se hetimet janë në vijim, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave që çuan në këtë incident të dhunshëm.


