The Telegraph: Brez i ri i nacionalistëve serbë shkon nga fronti ukrainas drejt një konflikti në Ballkan

Një brez i ri nacionalistësh etnikë serb po përgatitet për një konflikt të mundshëm në Bosnjë, sipas një raporti të gazetës britanike The Telegraph. Qindra militantë serbë kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar përkrah trupave ruse, duke shpresuar se përpjekjet e tyre do të shpërblehen me mundësinë për të rimarrë territoret e humbura serbe, përfshirë Kosovën.

 

Gazeta raporton se veteranë të Luftës së Bosnjës po përdorin mediat sociale për të rekrutuar të rinj serbë, duke ofruar edhe shpërblime prej 23,000 paund për pjesëmarrje në luftimet në Ukrainë. Një shembull i tillë është Dario Ristiq, i plagosur në Ukrainë dhe me ndikim të madh në rrjetet sociale, i cili paralajmëron se pas përfundimit të konfliktit do të kthehet në Bosnjë për të rimarrë “tokat e shenjta”.

Analistët paralajmërojnë se edhe një numër i vogël militantësh të armatosur mund të destabilizojë shoqëritë e brishta të pasluftës. Srecko Latal, analist rajonal, u shpreh: “Nuk keni nevojë për shumë individë të armatosur për të kërcënuar ekuilibrin e paqes”.

Raporti gjithashtu tregon rolin e lidhjeve të luftëtarëve me rrjetet e inteligjencës ruse dhe përdorimin e kompanive të fshehta për të shmangur zbulimin. Rreziku ekziston që Republika Srpska të përdoret si bazë stërvitjeje për njësitë paraushtarake të mbështetura nga Rusia, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Trajnimi ka përfshirë metoda për kthimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme dhe përdorimin e dronëve kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake.

Burimi: The Telegraph

TË NDRYSHME

TË FUNDIT