Tre prokurorë të SPAK në Këshillin e Mandateve për çështjen Balluku

Tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) do të jenë të pranishëm nesër në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të shqyrtohet kërkesa që lidhet me zv.kryeministren dhe deputeten Belinda Balluku.

 

Mbledhja pritet të jetë e gjatë, pasi Këshilli përbëhet nga 10 anëtarë dhe Balluku, e shoqëruar nga avokatët e saj, do të ketë të drejtën të paraqesë mbrojtjen. Ajo do të jetë personalisht e pranishme në seancë, ndërsa SPAK ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Qëllimi i procedurës është dëgjimi i deputetes për të cilën kërkohet autorizimi i arrestimit, pasi Balluku aktualisht gëzon imunitetin parlamentar. Çdo anëtar i Këshillit pritet t’i drejtojë pyetje, çka e bën seancën të zgjasë për disa orë.

Në mbledhje nuk do të marrë pjesë vetëm prokurori i çështjes, Dritan Prençi, por edhe drejtuesi ende në detyrë i SPAK, Altin Dumani, si dhe një prokuror tjetër, për shkak të volumit të madh të dosjes dhe rëndësisë së veçantë të saj.

Burime nga drejtësia bëjnë me dije se janë marrë masa që dokumentet e dosjes sekrete të mos filmohen nga anëtarët e Komisionit, ndërsa e gjithë seanca do të regjistrohet nga kamerat zyrtare të sallës.

Po ashtu, mësohet se Këshilli i Mandateve pritet të shqyrtojë kërkesa të tjera në muajt shkurt–mars 2026, për dy deputetë të tjerë, për të cilët mund të kërkohet autorizim për heqje imuniteti dhe arrestim.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT