TIRANË – Mbrëmja e djeshme në “Big Brother VIP Albania 5” nuk ishte thjesht një hyrje e re, por prezantimi me një histori që ka prekur zemrat e të gjithë shikuesve. Këngëtarja Juela Nikolli, e lindur në Laç dhe e rritur në Milano, është banorja më e re e shtëpisë, por pas imazhit të saj plot jetë fshihet një dramë e rëndë familjare.
Para pak vitesh, jeta e Juelës ndryshoi përgjithmonë kur i fejuari i saj u vra pak ditë para se çifti të kurorëzonte dashurinë e tyre në martesë. Ai mbeti viktimë e një sulmi me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i motrës së tij, ku fatkeqësisht humbën jetën të dy.
Gjatë prezantimit, Juela hapi zemrën duke treguar se si kjo periudhë e errët e ka shndërruar në një grua më të fortë:
“Mendoja që dhimbja do të ishte e papërballueshme, por dashuria e tij u bë drita në momentet më të errëta. Ajo forcë më ngriti dhe më mësoi se unë ia dola,” u shpreh këngëtarja mes emocionesh.
Juela deklaroi se hyrja në Big Brother është një nisje e re dhe një mënyrë për të treguar se jeta vazhdon edhe pas humbjeve më të mëdha, duke nderuar kështu besimin që i fejuari i saj kishte gjithmonë tek ajo.


