Blerim Sejdiu reagon ashpër për Spitalin Modular: “Po dënohen të pafajshmit për të mbrojtur të fuqishmit!”

ZHELINË – Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka reaguar ashpër lidhur me procesin gjyqësor për tragjedinë e spitalit modular në Tetovë, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi të ftohtë dhe të kalkuluar”.

 

Përmes një qëndrimi publik, Sejdiu ka thënë se sot po dënohen njerëz që nuk kishin asnjë pushtet vendimmarrës, ndërsa ata që projektuan, mbikëqyrën dhe firmosën tenderët, mbeten të paprekur nga ligji.

“Sot, në emër të drejtësisë, po dënohen njerëz që nuk vendosën, nuk projektuan dhe nuk kishin pushtetin për të ndaluar tragjedinë. Ata nuk hapën tenderë dhe nuk përcaktuan standarde ndërtimi,” u shpreh Sejdiu.

Kreu i Zhelinës e konsideron këtë një “goditje të dyfishtë” – një herë për viktimat dhe një herë për vetë sistemin e drejtësisë. Sipas tij, mbrojtja e të fuqishmëve përmes ndëshkimit të të pafajshmëve është një akt që djeg besimin e qytetarëve te shteti.

Sejdiu përfundoi reagimin e tij me një paralajmërim të fortë: “Nëse fajtorët e vërtetë nuk mbajnë përgjegjësi, atëherë kjo tragjedi nuk ka marrë vetëm jetë njerëzish, ka djegur edhe besimin në shtet.”

TË NDRYSHME

TË FUNDIT