Rregullat për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë në Kosovë

16 Janar 2026 | 13:30

 

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar një njoftim zyrtar lidhur me rregullat e qarkullimit për automjetet e regjistruara jashtë vendit që lëvizin në rrugët e Republikës së Kosovës. Sipas rregullit kryesor, një automjet me targa të huaja në pronësi të një shtetasi të huaj lejohet të qarkullojë deri në tre muaj nga data e hyrjes.

Zbatimi i plotë i këtyre rregullave do të fillojë më 15 mars 2026. Mosrespektimi i tyre përbën shkelje ligjore dhe do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i plotë:

UDHËZUES PËR AUTOMJETET E REGJISTRUARA NË VENDET E HUAJA QË MARRIN PJESË NË TRAFIKUN RRUGOR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Të dashur vizitorë, mirë se vini në Republikën e Kosovës! Me qëllim që qëndrimi juaj të jetë sa më i lehtë dhe në përputhje me ligjin, ju informojmë për detyrimet tuaja sipas Ligjit për Automjetet:

  • Shtetasit e huaj: Automjeti i regjistruar në një vend të huaj lejohet të qarkullojë deri në tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë.

  • Qytetarët e Kosovës me qëndrim jashtë vendit: Automjeti i regjistruar jashtë vendit lejohet të qarkullojë deri në tre (3) muaj nga data e hyrjes. Pronari duhet të dëshmojë lejen e qëndrimit (të përkohshme ose të përhershme) të shtetit të huaj sa herë që kërkohet nga zyrtari policor.

  • Ndalimi i drejtimit: Një shtetas i Kosovës (banor i përhershëm) nuk mund ta drejtojë një automjet me targa të huaja pa praninë e pronarit në makinë, dhe as nuk mund të autorizohet për ta qarkulluar atë i vetëm brenda territorit të Kosovës.

  • Autorizimi: Qytetari i Kosovës që jeton jashtë vendit mund ta drejtojë automjetin nëse ka qëndrim të rregullt në shtetin ku është regjistruar mjeti dhe posedon autorizim zyrtar nga ai shtet.

  • Kufizimi 8-ditor: Personat që nuk kanë qëndrim të rregullt në vendin prej nga importohet ose vjen automjeti, lejohen të qarkullojnë vetëm deri në tetë (8) ditë nga data e hyrjes.

  • Patentë shoferi: Shtetasit e huaj me qëndrim në Kosovë ose shtetasit e Kosovës që kthehen nga vendet e huaja, mund të përdorin patentë shoferin e huaj deri në një (1) vit nga dita e hyrjes.

Për informata më të detajuara, referojuni Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet në Gazetën Zyrtare.

Zbatimi i rreptë fillon më 15 mars 2026.

Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe ju urojmë qëndrim të këndshëm!

TË NDRYSHME

TË FUNDIT