Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës është zhvilluar me sukses kursi “Medik Luftarak/Combat Medic”, i dedikuar pjesëtarëve të Regjimentit të Parë të Komandës së Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky kurs, i ndërtuar në përputhje me standardet e NATO-s, synon të pajisë personelin ushtarak me njohuri dhe aftësi thelbësore e të avancuara mjekësore për ofrimin e ndihmës së shpejtë dhe të efektshme në kushte operacionale. Pjesëmarrësit trajnohen në menaxhimin e traumave, kontrollin e gjakderdhjes, ruajtjen e rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimin fillestar të të plagosurve dhe përgatitjen për evakuim mjekësor, duke respektuar protokollet taktike të kujdesit para-spitalor.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci; komandanti i Regjimentit të Mjekësisë, dr. kolonel Xhevdet Tahiraj; si dhe komandanti i Regjimentit të Parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli.
Gjatë fjalës së tij, kolonel Lladrovci theksoi se trajnime të tilla janë thelbësore për rritjen e kapaciteteve operacionale, avancimin drejt interoperabilitetit me NATO-n dhe forcimin e gatishmërisë për t’u angazhuar në operacione të paqes kudo ku nevojitet mbështetje mjekësore ushtarake.


