PRISHTINË – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk është kandidat për postin e Presidentit të Republikës. Gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj sqaroi se, përkundër spekulimeve, ai nuk ka ndërmarrë asnjë hap formal për këtë pozicion, raporton Kohanews.
Haradinaj theksoi se procesi i kandidimit nuk ka nisur fare në kampin e tij. “Nuk jam kandidat për president dhe nuk kam nisur as mbledhjen e nënshkrimeve për të shpallur një kandidaturë të tillë,” deklaroi ai, duke i dhënë fund zërave për një synim të mundshëm drejt Presidencës.
Dështimi i negociatave me opozitën
Lideri i AAK-së zbuloi se ka pasur takime të veçanta me figura kyçe të opozitës, si Bedri Hamza nga PDK dhe Lumir Abdixhiku nga LDK, për të diskutuar rreth çështjes së Presidentit të ri. Megjithatë, ai pranoi se këto bisedime nuk kanë prodhuar një rezultat konkret.
“Kemi biseduar për këtë temë, por nuk kemi arritur një gjuhë të përbashkët,” u shpreh Haradinaj.
“Akulli” me kryeministrin Kurti
Një pikë tjetër që ra në sy gjatë deklaratës së tij ishte mungesa totale e komunikimit me kreun e qeverisë. Haradinaj konfirmoi se Kryeministri Albin Kurti nuk e ka ftuar në asnjë takim për të konsultuar zgjedhjen e Presidentit. Ai pranoi se komunikimi mes tij dhe Kurtit është ndërprerë prej një kohe të gjatë, duke dëshmuar për një polarizim të thellë mes pushtetit dhe AAK-së në prag të proceseve të rëndësishme votuese në Kuvend.
/ KOHANEWS


