Punimet infrastrukturore në Komunën e Çairit vazhdojnë me intensitet të shtuar. Në rrugën Metodija Mitevski në Fushë Topanë po realizohet rregullimi i trotuareve dhe hapësirave anësore, ku aktualisht po vendosen bordurat e reja. Në fazën e radhës do të kryhet shtrimi i trotuareve me kubeza betoni dhe instalimi i zhardinierave që do të ndajnë rrugën kryesore nga hapësirat e parkimit. Pas përfundimit të këtyre punimeve, do të vijojë edhe freskimi i shtresës ekzistuese të asfaltit për të mundësuar vendosjen e asfaltit të ri.
Ndërkohë, punimet po vazhdojnë edhe në rrugën Strumica në Çair të Vjetër, ku po realizohet një rekonstruksion i plotë: vendosja e bordurave të reja, shtrimi i trotuareve me kubeza betoni dhe asfaltimi i të gjithë gjatësisë së rrugës. Investimi ka për qëllim të përmirësojë qarkullimin, sigurinë dhe funksionalitetin e hapësirës urbane për banorët e zonës.
Në fazën përfundimtare të projekteve në të dy rrugët, Komuna e Çairit do të realizojë rregullimin e ndriçimit rrugor, duke kompletuar ciklin e ndërhyrjeve infrastrukturore.
Komuna e Çairit thekson se mbetet e përkushtuar që punimet në terren të vazhdojnë pa ndërprerje, lagje pas lagjeje, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët.


