TIRANË – Shqipëria ka shënuar një vit historik për aviacionin civil gjatë vitit 2025, duke u pozicionuar si lider i pakontestueshëm në rajon për numrin e pasagjerëve. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar të dhënat e fundit nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), të cilat konfirmojnë rritjen galopante të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).
Sipas statistikave, TIA përpunoi 11.6 milionë pasagjerë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 8.7% në krahasuar me vitin paraprak.
Zgjerimi i hartës fluturimeve
Kryeministri Rama theksoi se ky sukses ka ardhur si rezultat i rritjes së bashkëpunimit me kompanitë ajrore dhe shtimit të pikave të reja të lidhjes.
-
15 destinacione të reja u shtuan gjatë vitit 2025.
-
7 linja ajrore të reja iu bashkuan portofolit të partnerëve të aeroportit.
“Sipas statistikave të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës renditet i pari në rajon,” shkroi Rama në Facebook, duke shoqëruar njoftimin me grafikun e performancës vjetore.
Si renditet rajoni?
Në grafikun e prezantuar nga kryeministri shqiptar, shihet qartë dominimi i Tiranës në Ballkanin Perëndimor:
-
Tirana (TIA): E para në rajon me 11.6 milionë pasagjerë.
-
Aeroporti i Prishtinës: Renditet i treti në rajon për nga vëllimi i pasagjerëve, duke mbetur një nyje e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës dhe diasporën.
Kjo rritje e fuqishme e Tiranës lidhet drejtpërdrejt me “boomin” turistik që ka përfshirë Shqipërinë vitet e fundit, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një qendër tranziti për udhëtarët ndërkombëtarë që vizitojnë Ballkanin.


