Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pas disa muajsh bllokadë institucionale dhe dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re. Profesori amerikan dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, vlerëson se procesi elektoral pritet të jetë i rregullt dhe transparent, ndërsa shpreson që rezultati të shmangë një krizë të re politike.
I pyetur për pasojat e bllokadës së gjatë, Serwer thotë se pozita ndërkombëtare e Kosovës është dëmtuar, por jo në mënyrë të pakthyeshme. Ai thekson se anulimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në ishte sinjal i qartë i pakënaqësisë amerikane ndaj qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Sipas tij, mënyra e komunikimit të Uashingtonit ishte e qëllimshme: që të bëhej e ditur se administrata amerikane nuk ishte e kënaqur me qasjen e Kurtit në raportet bilaterale dhe proceset e brendshme politike në Kosovë.
Serwer thekson se votuesit kosovarë do të jenë ata që do të përcaktojnë se kush mban përgjegjësi për bllokadën politike. Lidhur me akuzat e ish-opozitës ndaj presidentes Vjosa Osmani, ai vlerëson se në sistemet parlamentare përgjegjësia për dështimin e formimit të qeverisë prek edhe institucionin e presidentit, edhe pse nuk e sheh këtë si arsyeja kryesore të krizës.
Në lidhje me raportet ndërkombëtare, Serwer thekson se Kosova duhet të fokusohet në rindërtimin e marrëdhënieve me ShBA-në dhe Bashkimin Europian, si dhe të shtyjë përpara integrimin në NATO sapo të krijohen rrethana të favorshme në politikën amerikane.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ai vlerëson se përparimi në nivel politik është i pamundur përderisa në pushtet në Beograd mbetet Aleksandër Vuçiq, të cilin e konsideron të painteresuar për normalizim.
Ai shton se presioni amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të vazhdojë, edhe pse sipas tij kjo qasje është e gabuar. Serwer sugjeron se një formë e Asociacionit si organizatë joqeveritare, në bashkëpunim me strukturat ekzistuese, do të ishte model më i pranueshëm.


