Qendra për Studime të Sigurisë – Shkup do të organizojë konferencën e parë ndërkombëtare “Skopje Security Conference 2026”, të premten, më 19 qershor 2026, në “DoubleTree by Hilton” Shkup.
Konferenca do të mbahet me temën “Siguria në tranzicion: navigimi përmes teknologjisë, gjeopolitikës dhe reziliencës në një botë në ndryshim” dhe do të mbledhë zyrtarë publikë, krijues të politikave, diplomatë, ekspertë të sigurisë, akademikë, specialistë të teknologjisë, ekspertë të mjedisit jetësor dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ngjarja ka për qëllim të hapë një diskutim të nivelit të lartë mbi mënyrën se si po ndryshon koncepti i sigurisë në kohë të zhvillimit të shpejtë teknologjik, pasigurisë gjeopolitike, kërcënimeve hibride, cenueshmërisë ekonomike dhe rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike. Fokus i veçantë do t’i kushtohet rolit të inteligjencës artificiale në mbrojtjen kibernetike dhe luftën bashkëkohore, mbrojtjes së infrastrukturës kritike, bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe nevojës për reziliencë më të fortë institucionale dhe shoqërore.
Hapja e konferencës do të fillojë në orën 09:00, me fjalime përshëndetëse nga Dr. Ardijan Ismaili, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Skopje Security Conference” dhe themelues e kryetar i Qendrës për Studime të Sigurisë – Shkup, si dhe nga z. Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Parashihet edhe një fjalim i veçantë nga prof. dr. Astrit Iseni, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Programi i konferencës përfshin pesë panele të nivelit të lartë:
Paneli I: Siguria multilaterale në një botë të fragmentuar: diplomacia, neutraliteti dhe parandalimi i konflikteve
I bashkorganizuar me Qendrën e Gjenevës për Politikë të Sigurisë, ky panel do të fokusohet në diplomacinë, bashkëpunimin multilateral dhe parandalimin e konflikteve në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të fragmentuar.
Paneli II: Fushëbeteja e mendjes: përballja me një luftë të pasigurt në zonën gri të luftës kognitive
Ky diskutim do të trajtojë luftën kognitive, dezinformimin, kërcënimet hibride dhe natyrën në ndryshim të operacioneve të ndikimit.
Paneli III: Inteligjenca artificiale në mbrojtjen kibernetike dhe luftën bashkëkohore: nga inovacionet në fushëbetejë deri te integrimi i sigurisë në BE
I bashkorganizuar me Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe i mbështetur nga Defentra GmbH, paneli do të shqyrtojë se si inteligjenca artificiale po e riformëson sigurinë kibernetike, sistemet e mbrojtjes dhe proceset e integrimit të sigurisë.
Paneli IV: Nga resurset drejt reziliencës: klima, energjia dhe stabiliteti gjeopolitik
I bashkorganizuar me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe i mbështetur nga Fakulteti i Sigurisë – Shkup, ky panel do të shqyrtojë lidhjet ndërmjet rreziqeve klimatike, sigurisë energjetike, resurseve dhe stabilitetit rajonal.
Paneli V: Ekonomia e ndikimit: stabiliteti, rreziku dhe fuqia në Ballkanin Perëndimor
I bashkorganizuar me Universitetin “Nënë Tereza” dhe i mbështetur nga INNOX Innovation Center, paneli do të fokusohet në sigurinë ekonomike, investimet strategjike, ndikimin, rrezikun dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor ku edhe do mer pjes zv.ministrja e Ministris së Transportit dhe Lidhjes së Republikës së Maqedonis Veriut prof.dr. Kaltrina Zekolli Shaçiri
Konferenca do të mbledhë folës dhe pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Zvicra, Shqipëria, Finlanda, Katari, Çekia, Bullgaria, Turqia dhe vende të tjera. Përmes përfshirjes së institucioneve, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, “Skopje Security Conference” synon ta pozicionojë Shkupin si platformë rajonale për dialog strategjik mbi sigurinë, reziliencën dhe bashkëpunimin.
Konferenca organizohet nga Qendra për Studime të Sigurisë – Shkup, me panele të bashkorganizuara dhe të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë dhe vendorë, ndër të cilët Qendra e Gjenevës për Politikë të Sigurisë, Qendra për Menaxhim me Kriza, Defentra GmbH, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Fakulteti i Sigurisë – Shkup, Universiteti “Nënë Tereza” dhe INNOX Innovation Center.


