Skaneri i inxhinierit Nazarko: Pse u shemb aksi Prrenjas-Librazhd dhe “lufta” e fqinjëve kundër Korridorit VIII

TIRANË – Shembja e fundit në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, që ka lënë të izoluar juglindjen e vendit, nuk është thjesht një aksident natyror, por një sinjal alarmi për sigurinë kombëtare dhe interesat gjeopolitike. Inxhinieri Romeo Nazarko, në një analizë teknike për “Dritare TV”, ka zbardhur skandalet pas kësaj shembjeje dhe rrezikun që i kanoset Shqipërisë si nyje strategjike, raporton Kohanews.

 

Nga “inxhinierët me qira” te “Nëna Natyrë” si kolaudatore

Nazarko hodhi akuza të rënda mbi mënyrën se si ndërtohen rrugët në Shqipëri, duke denoncuar një zinxhir abuzimesh:

  • Studime fiktive: Sipas tij, studimet gjeologjike shpesh bëhen nga zyrat duke parë “Google Maps” dhe jo përmes shpimeve në terren.

  • Licenca me qira: Kompanitë përdorin emra inxhinierësh që nuk shpkelin kurrë në kantier, ndërsa punimet drejtohen nga persona të pakualifikuar.

  • Mure “dekorative”: Muret mbajtëse të shembura u cilësuan si “dekorative” për shkak të mungesës së hekurit dhe cilësisë së dobët të çimentos.

“Nëna Natyrë është kolaudatori më i madh në Shqipëri. Ajo po zbulon mashtrimet aty ku inspektoratet shtetërore dështojnë,” u shpreh Nazarko me ironi.

Gjeopolitika: Kush fiton nga dështimi i Shqipërisë?

Përtej asfaltit, inxhinieri theksoi se bllokimi i këtij aksi prek direkt Korridorin VIII, projektin që e bën Shqipërinë portën kryesore të mallrave nga Deti i Zi drejt Italisë.

Sipas Nazarkos, ky korridor është “ferr” për fqinjët:

  1. Greqia (Korridori IV): Humbet rëndësinë e porteve dhe rrugëve të saj nëse Shqipëria bëhet funksionale.

  2. Serbia (Korridori X): Korridori VIII sfumon rëndësinë e korridorit serb si rrugë kryesore ballkanike.

Çdo vonesë apo shembje në rrugët tona, sipas tij, ushqen skepticizmin e BE-së dhe luan në favor të agjendave të fqinjëve që nuk e duan fuqizimin logjistik të Shqipërisë.

Thirrje për mobilizim

Inxhinieri bëri thirrje për krijimin urgjent të Urdhrit të Inxhinierit për të larguar inkompetencën nga tregu dhe kërkoi ndërhyrje shtetërore për të zgjidhur këtë emergjencë që po i kushton miliona euro turizmit dhe logjistikës kombëtare.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT