Tiranë, 08 Mars 2026 – Ethesh e Play-off-it për Botërorin 2026 ka nisur zyrtarisht. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka gati planin operativ për përballjen jetike të 26 marsit kundër Polonisë. Me një listë të zgjeruar prej 50 lojtarësh, braziliani po monitoron çdo lëvizje përpara se të përzgjedhë 23 “të besuarit” që do të zbarkojnë në Varshavë.
Vëzhgimi në Turqi: Vetëm shikim, pa takime
Ndryshe nga vizitat në Itali apo Portugali, ku trajneri është ulur në tryezë me lojtarët, qëndrimi në Turqi ka qenë më i ftohtë dhe profesional.
-
Ernest Muçi në formë: U vëzhgua në ndeshjen ndaj Trabzonsporit ku dhuroi një asist dhe mori notën 7.6 (Sofascore).
-
Asllani dhe Laçi: Sylvinho ndoqi ndeshjen Besiktas-Rizespor, ku Asllani luajti vetëm 12 minuta, ndërsa Laçi mbeti në stol për shkak dëmtimi.
-
Mungesa e takimeve: Sylvinho dhe ndihmësi Doriva preferuan të qëndronin vetëm në tribunë, pa organizuar takime individuale me lojtarët, ndërsa Rey Manaj u la jashtë agjendës së monitorimit për këtë herë.
Kontrasti me “shkollën italiane” dhe surprizat e reja
Në dallim nga Turqia, në Itali trajneri ka qenë shumë më i afërt:
-
Takime me liderët: U takua personalisht me Berat Gjimshitin pas ndeshjes Lazio-Atalanta dhe priti në FSHF Elseid Hysajn.
-
Monitorim në Portugali: Stafi ndoqi Nedim Bajramin në Europa League për të parë gjendjen e tij fizike.
-
Emra të rinj: Për të përforcuar mbrojtjen, Sylvinho po planifikon të afrojë Stavros Pilios (AEK) dhe Bujar Pllanën (Lechia Gdansk), ky i fundit një “spiun” i vlefshëm pasi luan në kampionatin polak.
Rruga drejt ëndrrës “Botëror”
Ndeshja e 26 marsit në Varshavë është vetëm hapi i parë. Nëse kuqezinjtë kalojnë pengesën polake, më 31 mars i pret finalja e madhe kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi. Fitorja në këtë raund do të shënonte kualifikimin e parë historik të Shqipërisë në një Kupë Bote.
/ KOHANEWS


