Tifozët e Fenerbahçes “përshëndesin” Partizanin e Beogradit me flamurin e Kosovës

STAMBOLL – Një atmosferë tejet e tensionuar dhe e mbushur me mesazhe të forta simbolike ka shoqëruar ndeshjen e javës së 29-të të Euroligës në basketboll mes Fenerbahçes dhe Partizanit të Beogradit. Përtej rivalitetit në parket, ajo që vodhi vëmendjen ishte surpriza që tifozët vendas u kishin rezervuar mysafirëve serbë, raporton Kohanews.

 

Në pallatin e sportit në Stamboll, i cili njihet si një nga “ferret” më të nxehta të basketbollit evropian, tifozët ultras të Fenerbahçes kanë shfaqur dhe valvitur flamurin e Republikës së Kosovës në tribunat e tyre. Ky gjest, i bërë pikërisht përballë pankinës dhe tifozëve të Partizanit, u interpretua menjëherë si një mesazh i qartë mbështetjeje për pavarësinë e Kosovës dhe një kundërpërgjigje ndaj politikave serbe.

Reagime të ashpra në kampin serb

Prania e flamurit të Kosovës në mesin e mijëra tifozëve turq ka nxehur gjakrat në fushë. Sipas raportimeve nga mediat turke dhe ato ballkanike, lojtarët dhe stafi i skuadrës serbe janë ndikuar dukshëm emocionalisht nga kjo situatë. Ndërkohë, mediat në Beograd nuk kanë vonuar ta cilësojnë këtë akt si një “provokim të rëndë” dhe skandaloz, duke harruar atmosferën legjitime që krijojnë tifozët vendas në mbrojtje të kauzave të tyre.

Ky veprim i tifozëve të Fenerbahçes konfirmon edhe një herë lidhjen e fortë emocionale dhe politike që ekziston mes Turqisë dhe Kosovës, duke përdorur skenën e madhe të Euroligës për të dërguar mesazhe që tejkalojnë kufijtë e sportit.

Në aspektin sportiv, kjo atmosferë “armiqësore” rezultoi të ishte një pengesë e pakalueshme për basketbollistët e Partizanit, të cilët u gjendën nën presionin e vazhdueshëm të sallës gjatë gjithë 40 minutave të lojës.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT