Tmerr në Shkup: Rrahët brutalisht një grua në mes të ditës

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse e dhunës në familje ka ndodhur në mes të ditës në Shkup, duke shkaktuar reagime të ashpra në opinion.

 

Një qytetare nga Shkupi, e identifikuar si Aleksandra, ka ndarë në rrjetet sociale një dëshmi shokuese për një akt brutal të dhunës, të cilit i ka mbijetuar një grua në sy të kalimtarëve. Ngjarjen e tmerrshme e ka dëshmuar vajza e Aleksandrës, e cila ka qenë e pranishme në vendngjarje.

Sipas dëshmisë, dhunuesi po e godiste gruan në mënyrë barbare dhe po e mbytte, ndërsa duart e tij ishin të mbuluara me gjak.

“Mos u përzie, e ka burrë” – Reagimi skandaloz i kalimtarëve

Në momentin kur ka parë skenën horror, vajza e Aleksandrës ka ndërhyrë me guxim për t’i dalë në ndihmë gruas, duke i kërkuar dhunuesit që të ndalonte keqtrajtimin. Megjithatë, reagimi i rrethinës ka qenë po aq i tmerrshëm sa vetë akti.

“Bashkë me dhunuesin ishte edhe një burrë tjetër, i cili i tha vajzës sime: ‘Mos u përzie, e ka burrë, le t’i bëjë çfarë të dojë’. Vajza ime iu përgjigj me guxim: ‘Edhe nëse e ka burrë, a do të thotë kjo se ka të drejtë ta rrahë?'”, shkruan Aleksandra në postimin e saj.

Ajo që e bën edhe më tronditëse këtë ngjarje është fakti se asnjë nga burrat e tjerë që kalonin pranë nuk ka guxuar apo nuk ka pranuar të ndërhyjë për të shpëtuar gruan.

Dhunuesi kërcënoi vajzën që tentoi të ndihmonte

Pasi ka parë që dikush po tentonte t’i bënte ballë, dhunuesi është kthyer nga vajza e re dhe ka nisur ta kërcënojë me fjalë tejet fyese dhe banale.

Pas kësaj ngjarjeje, Aleksandra ka drejtuar një thirrje urgjente deri te Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) që të ndërmarrë masa të menjëhershme për identifikimin dhe arrestimin e agresorit.

“Dhuna ndaj grave nuk guxon të heshtet, e as të arsyetohet me fjalët ‘e ka burrë’. Sot ishte ajo grua, nesër mund të jetë kushdo tjetër”, porositi ajo në thirrjen e saj publike.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT