Zëvendëskryeministri i Qeverisë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me raportuesin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, me të cilin ka diskutuar mbi rrugëtimin dhe perspektivën evropiane të vendit. Gjatë takimit, Sali vuri në dukje se procesi i anëtarësimit duhet të udhëhiqet nga parimi i meritës dhe përmbushja e kritereve objektive, duke bërë thirrje që integrimi të mos mbetet peng i instrumentalizimit të çështjeve bilaterale apo bllokadave politike që nuk lidhen me reformat.
Sali theksoi se Maqedonia e Veriut ka treguar progres të mjaftueshëm për të merituar hapjen e negociatave pa vonesa të mëtejshme të pajustifikuara. Ai rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave evropiane, duke nënvizuar se anëtarësimi i plotë në BE mbetet synimi kryesor strategjik i Qeverisë, i cili kërkon një qasje të drejtë dhe konstruktive nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces.


