Kasami pret studentët: Provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe

TETOVË – Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, bashkë me zëvendëskryetarin Albi Qamili, kanë pritur sot në takim nismëtarët e iniciativës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, të kryesuar nga studenti Mevlan Ademi.

 

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për pengesat aktuale dhe nevojën për zgjidhjen e kësaj problematike. Kasami i ka siguruar studentët se kërkesa e tyre do të realizohet dhe se provimi i jurisprudencës do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe përmes një zgjidhjeje adekuate ligjore.

“E sigurova sërish se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe. Shumë shpejt kjo çështje do të marrë edhe zgjidhje adekuate ligjore,” ka deklaruar Kasami pas takimit.

Ai shtoi se mbështetja për studentët në këtë iniciativë është e plotë dhe se angazhimi i tyre mbetet zbatimi i Kushtetutës në çdo fushë, duke garantuar përfaqësim dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.

Ky zotim i Kasamit vjen në një kohë kur tema e jurisprudencës është bërë pjesë e debatit të gjerë politik në vend, ku përfshihen edhe krerët e tjerë të qeverisë dhe dikasteret përkatëse të drejtësisë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT