STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka ndërmarrë një nismë konkrete për rritjen e sigurisë së objekteve në qytet, duke kërkuar që statika e ndërtesave të bëhet kusht i panegociueshëm në procesin e legalizimit.
Gjatë një takimi zyrtar me drejtorin e Institutit të Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike (IZIIS), Igor Gjorgjiev, Qyra shprehu shqetësimin se procedurat aktuale të legalizimit shpesh anashkalojnë analizat e thelluara teknike, duke e kthyer sigurinë e qytetarëve në një thjesht formalitet administrativ.
Siguria konstruktive si prioritet
Kryetari Qyra propozoi që kuadri ligjor të ndryshojë për të përfshirë verifikimin e detyrueshëm konstruktiv të statikës. Sipas tij, ky mekanizëm është i domosdoshëm për të garantuar stabilitetin e infrastrukturës dhe mbrojtjen e jetës së banorëve në objektet që janë ndërtuar pa leje.
Rezistenca klimatike dhe Projekti “NATURE-DEMO”
Përveç sigurisë së objekteve, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mbrojtjes nga rreziqet natyrore. Në kuadër të projektit evropian NATURE-DEMO, kryetari nënvizoi se Struga po synon zgjidhje moderne për menaxhimin e burimeve ujore.
“Zgjidhjet e bazuara në natyrë janë qasja jonë e përgjegjshme ndaj rreziqeve klimatike. Integrimi i shkencës dhe monitorimit digjital është themeli i një sistemi të sigurt për rajonin tonë,” deklaroi Qyra.
Me këtë angazhim, Komuna e Strugës rikonfirmon përkushtimin e saj për të ndjekur politikat evropiane të adaptimit klimatik, duke e vënë theksin te koordinimi institucional dhe stabiliteti afatgjatë i infrastrukturës kritike.


