Polemikat mes kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë të intensifikohen. Pas deklaratave të njëpasnjëshme ndaj ish-deputetes së LVV-së, Adriana Matoshi, Lushtaku u paraqit sërish mbrëmë në një lidhje direkte në emisionin “Debat Plus”, ku akuzoi Vetëvendosjen se ka nxitur vetë gjuhën e ashpër në diskursin politik.
Gjatë deklaratës së tij, ai përdori disa shprehje që ngjallën reagime të forta, përfshirë referimin e tij ndaj “kudrave”, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurti t’i “ndalë”.
Pas këtyre komenteve, ka reaguar ministrja e Drejtësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi gjuhën e Lushtakut si banale dhe të papranueshme.
“Jo, Sami, jo. As frika, as presioni nuk funksionojnë te gratë e Lëvizjes. Ti flet me banalitet. Në PDK askush nuk guxon të kundërshtojë, dhe kjo e bën problemin politik, jo personal. Ne nuk i nënshtrohemi kësaj gjuhe dhe nuk pranojmë që ofendimi ndaj grave të shndërrohet në praktikë politike. Kjo mendësi po bie, dhe ju e dini se nuk ia dilni me neve,” ka shkruar Haxhiu.
Përplasja pritet të vazhdojë, pasi palët nuk po lënë hapësirë për uljen e toneve në debatet publike politike.


