Këtë të premte pritet të mbahet seanca e radhës për ish-presidentin Ilir Meta, seancë gjatë së cilës gjykata do të vendosë nëse dosja e tij do t’i kalojë fazës së gjykimit apo do të kthehet për hetime të tjera plotësuese.
Seanca e mëparshme u zhvillua më 27 nëntor, ku Meta ishte i pranishëm, por procesi u shty pasi avokati i tij kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me një pjesë të akteve të dosjes.
Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, përballen me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ndërkohë, Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, akuzohet për pastrim parash në lidhje me të njëjtën çështje.
Meta ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi vijon të jetë nën masën “detyrim paraqitje”.
Vendimi i së premtes shihet si një pikë kthese në procesin ndaj ish-presidentit dhe familjarëve të tij.


