Nga Milano në Zvicër: Si funksiononte rrjeti kriminal i policëve të rremë

Policia italiane ka goditur një rrjet të organizuar kriminal në Milano, duke arrestuar 21 persona të përfshirë në vjedhje dhe zhvatje, mes tyre edhe një grua 96-vjeçare, e cila sipas hetuesve kishte rol kyç drejtues në grup.

 

Rrjeti u zbulua pas një hetimi të gjatë që nisi në vitin 2023, pas një serie grabitjesh, mashtrimesh dhe rasteve të rrëmbimit. Sipas autoriteteve, grupi ka përfituar rreth 2.5 milionë euro nga aktivitetet kriminale, raportojnë mediat italiane.

Anëtarët e bandës vepronin sipas një skeme të përsëritur: shtirreshin si punonjës policie, pajiseshin me dokumente të rreme dhe u afroheshin kryesisht personave të moshuar. Pasi fitonin besimin e viktimave dhe hynin në banesat e tyre, grabisnin sende me vlerë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Objektivi kryesor ishin bizhuteritë, të cilat më pas transportoheshin jashtë Italisë me automjete kampingu. Ato përpunoheshin dhe ricikloheshin me ndihmën e argjendarëve të përfshirë në rrjet.

Hetimi përfshiu bashkëpunim ndërkombëtar mes shërbimeve policore, pasi banda vepronte jo vetëm në Itali, por edhe në Zvicër dhe Belgjikë. Gjatë bastisjeve në Zvicër, autoritetet sekuestruan 43 mijë euro para të gatshme, ora luksoze, shufra ari, bizhuteri dhe çanta të shtrenjta. Në faza të tjera të hetimit u konfiskuan edhe 15 mijë euro të tjera cash, si dhe mallra luksi me vlerë rreth 500 mijë euro.

Sipas hetuesve, gruaja 96-vjeçare e arrestuar ishte përgjegjëse për bazën logjistike të grupit kriminal. Policia konfirmoi se vlera totale e pasurisë së vjedhur arrin rreth 2.5 milionë euro.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT