Ka ndërruar jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Bastri Dubova, i cili ishte pjesë e listës zgjedhore të Partisë Liberale Egjiptiane.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Veton Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin egjiptian në Kosovë.
Në mesazhin e tij, Berisha e ka vlerësuar Bastri Dubovën si aktivist të përkushtuar kombëtar, anëtar të Lëvizjes Egjiptiane dhe figurë të respektuar për angazhimin e tij në shërbim të qytetarëve, veçanërisht në Komunën e Obiliqit, ku ishte shpallur edhe Qytetar Nderi nga kryetari i komunës.
Ai theksoi se humbja është e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për komunitetin që ai përfaqësonte, duke shtuar se kontributi dhe puna e tij do të mbeten të paharruara.
Sipas njoftimit zyrtar, varrimi i të ndjerit Bastri Dubova do të mbahet sot, më 16 dhjetor 2025, në fshatin Medvec të Komunës së Lipjanit, duke filluar nga ora 12:00. Në shenjë respekti, Partia Liberale Egjiptiane ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet zgjedhore të planifikuara për sot.


