Agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së kanë qëlluar për vdekje 21-vjeçarin Austin Tucker Martin, pasi ai hyri i armatosur me pushkë në pronën Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida. Në momentin e incidentit, presidenti Donald Trump nuk ndodhej në rezidencë, siç transmeton Kohanews.
Sipas raporteve hetimore, Martin u neutralizua rreth orës 01:30 të mëngjesit, pasi drejtoi armën drejt agjentëve të sigurisë brenda perimetrit të mbrojtur. FBI ka nisur një hetim të gjerë për të zbardhur lëvizjet dhe motivet e sulmuesit.
Kush ishte sulmuesi dhe cilat ishin motivet?
-
Obsesioni me rastin “Epstein”: Sipas portalit TMZ, Martin ishte bërë gjithnjë e më i fiksuar pas rastit të Jeffrey Epstein pas publikimit të dokumenteve të fundit. Ai u kishte dërguar mesazhe kolegëve duke thënë se “e keqja është reale” dhe bënte thirrje për ndërgjegjësim publik.
-
Profil i qetë: Familjarët nga Karolina e Veriut e përshkruan atë si një person të qetë dhe kundërshtar të armëve. Ata theksuan se familja e tyre e mbështet fuqishëm Donald Trumpin dhe se i riu rrallëherë fliste për politikë.
-
Përgatitja: Ai kishte udhëtuar nga Karolina e Veriut drejt Floridës të shtunën, duke blerë armën gjatë rrugës. Përveç pushkës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se Martin kishte me vete edhe një kanistër me benzinë.
Siguria e Presidentit Trump Ky është incidenti i radhës që kërcënon sigurinë e Donald Trumpit, i cili gjatë vitit 2024 ishte shënjestër e dy tentativave për atentat. Shtëpia e Bardhë vlerësoi reagimin “të shpejtë dhe vendimtar” të Shërbimit Sekret në neutralizimin e personit të shqetësuar ndërsa shumica e amerikanëve ishin në gjumë.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse Martin ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë në këtë ndërhyrje vdekjeprurëse.
/ KOHANEWS


