Dogana dhe Agjencia e Ushqimit nënshkruajnë memorandum të ri bashkëpunimi për sigurinë e ushqimit

Dogana e Maqedonisë së Veriut dhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nënshkruan një memorandum të ri bashkëpunimi, me fokus forcimin e kontrollit të ushqimit që hyn në vend dhe luftimin e çdo përpjekjeje për kriminalitet në këtë sektor. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, dhe drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Milanov.

 

Sipas Doganës, përfitimet kryesore të memorandumit përfshijnë rritjen e sigurisë së ushqimit, qasje të koordinuar ndërinstitucionale dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme për operatorët ekonomikë.

Nikollovski theksoi se siguria e ushqimit është një nga prioritetet kryesore të institucionit, ndërsa memorandumit i jep theks të posaçëm shkëmbimit të informacionit, analizës së të dhënave, krijimit të profileve të rrezikut dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore ndaj tentativave për mashtrime me ushqim.

Nga ana tjetër, drejtori i AUV-së, Milanov, deklaroi se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kontrollit veterinar dhe ushqimor, modernizimit të institucioneve, rritjes së transparencës dhe afrimit me standardet evropiane. Ai shtoi se dokumenti vendos theks edhe në përmirësimin e sistemeve të gjurmueshmërisë së kafshëve dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari i ka dhuruar Doganës pajisje elektronike për leximin e mikroçipëve të kafshëve shtëpiake, të cilat do të përdoren nga doganierët gjatë kontrolleve në pikat kufitare. Ky hap rrit kapacitetin e identifikimit, verifikimit të pronësisë së kafshëve dhe parandalimit të kontrabandës, duke mbrojtur njëkohësisht sigurinë shëndetësore dhe sanitare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT