Empoli “blindon” Stiven Shpendin: Drejtori sportiv Stefaneli thur elozhe për sulmuesin shqiptar

EMPOLI – Stiven Shpendi po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të Empolit në Serinë B. Sulmuesi i talentuar shqiptar ka rigjetur formën e tij më të mirë, duke detyruar krerët e klubit toskan të reagojnë publikisht për të ardhmen e tij, raporton Kohanews.

 

Drejtori sportiv i Empolit, Stefano Stefaneli, gjatë një konference për mediat, ka vlerësuar lart kontributin e 22-vjeçarit, duke bërë të qartë se klubi nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtësisht. Stefaneli, i cili e njeh Shpendin që nga koha kur punonin së bashku te Cesena, u shpreh i bindur për potencialin e madh të lojtarit.

“Një djalë i veçantë me hapësirë të madhe rritjeje”

Drejtuesi i klubit toskan theksoi se Shpendi është një pikë kyçe e organikës dhe një forcë lëvizëse për synimet e skuadrës.

“Shpresoj që ai të jetë një forcë lëvizëse deri në fund. E kam pasur tashmë te Cesena, kështu që me mua ai nuk ka nevojë që të përpiqet të më bindë. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe një djalë i veçantë. Ka shumë hapësirë për rritje,” deklaroi Stefaneli.

Pikë kyçe drejt rikthimit në elitë

Paraqitjet dinjitoze të Shpendit në Serinë B kanë rritur vlerën e tij në tregun e transferimeve, por mesazhi i Empolit është i prerë: “Do ta mbajmë fort”. Për stafin teknik, sulmuesi shqiptar nuk është thjesht një talent, por një garanci për fazën ofensive, i cili me nuhatjen e tij para portës mund të ndihmojë ekipin drejt objektivave madhorë.

Me besimin e plotë të drejtuesve dhe formën që po tregon në fushë, Stiven Shpendi po konfirmohet si një nga shpresat më të mëdha jo vetëm të Empolit, por edhe të Kombëtares Shqiptare për vitet në vazhdim.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT