Prapaskenat e shkarkimeve: Mesazhi i koduar i Ramës për Ballukun dhe paralajmërimi për Spiropalin

TIRANË – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga mbledhja me dyer të mbyllura e Partisë Socialiste, ku Kryeministri Edi Rama “fshiu” një pjesë të mirë të kabinetit qeveritar. Pas largimit të Elisa Spiropalit, vëmendjen më të madhe e ka marrë shkarkimi i Belinda Ballukut, për të cilën Rama ka lëshuar një deklaratë të fortë përpara ministrave, raporton Kohanews.

 

“Vështirë të zëvendësohet” – Rama vlerëson Ballukun para largimit

Sipas gazetarit Muhamed Veliu, pak çaste para se të lexonte emrat e rinj, Rama ka bërë një koment që ka lënë të shtangur të pranishmit. Edhe pse vendosi ta largonte, ai nuk i kurseu lëvdatat për ish-ministren e tij të fuqishme.

“Pavarësisht karakterit të saj të fortë, doni apo nuk doni ju, Belinda Balluku për punët e saj si ministre apo edhe angazhimet politike është e vështirë të zëvendësohet,” mësohet të ketë thënë Rama.

Në vend të Ballukut, në krye të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës është emëruar Enea Karakaçi, i cili deri më sot mbante postin e administratorit të OSHEE-së.

Surpriza në diplomaci dhe paralajmërimi për Spiropalin

Nëse për Ballukun pati fjalë vlerësuese, për Elisa Spiropalin tonet kanë qenë më të ftohta. Rama ka dhënë një lloj “paralajmërimi” duke u shprehur i pakënaqur me strukturën dhe punën në Ministrinë e Jashtme. Kjo pakënaqësi u konkretizua me zëvendësimin e saj të menjëhershëm me diplomatin karriere, Ferit Hoxha.

Riorganizimi i plotë: 8 ministra të ndryshuar

Mbledhja që nisi që në orën 10:00 të paradites me prezantim projektesh, përfundoi në mbrëmje me një “fshesë” që preku 8 dikastere. Përveç emrave të përfolur si Ervin Demo apo Delina Brahimi, Rama surprizoi duke ia besuar postet emrave të tjerë si Albana Koçiu.

Gazetari Veliu theksoi se Rama e bëri njoftimin e emrave në mungesë të plotë të mediave, pa drita dhe pa pamje filmike, duke e mbajtur suspancën deri në momentin e fundit. Ky riorganizim i thellë shihet si një lëvizje taktike e Ramës për të rifreskuar qeverisjen, por edhe si një mesazh disipline për të gjithë besnikët e tij.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT